Lebroni harron sërish moshën, realizon 38 pikë në Klivlend dhe del në krye!

Kurrë nuk ka ndodhur që një 37-vjeçar të jetë “dora e artë” e NBA-së. Këtë po kërkon ta bëjë Lebron Xhejmsi, i cili doli në krye të renditjes së shënuesve këtë sezon. Legjenda e koshit shënoi 38 pikë për Lejkërsat në fushën e Klivlendit, duke shkëlqyer në rikthimin e radhës në qytetin e tij, ku dikur luajti për disa sezone dhe fitoi një titull kampion. Lebroni e arriti këtë shifër duke e shoqëruar me një tripëll dabëllë, pasi shtoi edhe 12 topa në tabela e 11 asistë. Pavarësisht se skuadra nga Kalifornia është paraqitur shumë dobët këtë vit, dhe duket shumë vështirë të konkurrojë për titullin, Xhejmsi duket sikur ndodhet në një planet tjetër.

Ai ka mesatarisht 29.96 pikë për ndeshje, që do të thotë praktikisht 30 pikë për çdo sfidë. Për titullin e shënuesit më të mirë, veterani po lufton me Zhoel Embijn e Filadelfias, që ka 29.83 pikë për ndeshje, dhe me Janis Adetokumbon e Miluokit që është në kuotën 29.80. Kurrë më parë nuk ka pasur një garë të tillë në NBA, me 3 më të mirët që ndahen vetëm nga 0.16 të qindat e pikës! Ndoshta, titulli i shënuesit më të mirë mund të vendoset në ndeshjen e fundit. Vetë Lebron Xhejmsi po synon të vendosë rekorde të tjerë, të bëhet shënuesi më i mirë i të gjitha kohëve, në garën e tij të pafundme me Majkëll Xhordanin për titullin e basketbollistit më të mirë në histori.

Sfidanti.al