Vlahoviç drejt Juventusit, Arsenalit nuk i dalin as 100 milionë euro!

Vullneti i lojtarit shpesh është vendimtar, ndonëse për Fiorentinën dëmi financiar do të ishte i madh. Goran Vlahoviç dëshiron të shkojë tek Juventusi dhe thuhet se ka arritur akordin personal me piemontezët, edhe pse oferta e tyre është më e ulët sesa ajo e Arsenalit. Klubi anglez, sipas mediave, ofron 88 milionë paundë stërlina, që do të thotë mbi 100 milionë euro për kartonin e sulmuesit 21-vjeçar serb. Nga ana tjetër, Juventusi ofron kartonin e Dejan Kulushevskit (35 milionë euro sipas “Zonjës së Vjetër), si dhe 35 milionë euro të tjera në “dorë”. Do të thotë 70 milionë euro, aq sa Fiorentina kërkonte për kartonin e Vlahoviçit, veçse tashmë “pazari” është rritur në 100 milionë e më shumë! Juvja e kërkon sulmuesin në janar, ndonëse mund të ishte e detyruar të priste deri në verë.

Sfidanti.al