Një vit pa dy barazime radhazi, tre kartonë të kuq në vetëm 5 ndeshje dhe sërish spikat varësia nga Ronaldo. Ky, që barazoi 1-1 në “Bernabeu” ndaj Levantes, është Reali i Madridit, po ai Real që theu një rekord çerekshekullor duke fituar Championsin dy herë radhazi, që fitoi ligën pas pesë viteve, që dominoi Barcelonën në Superkupën e Spanjës dhe Mançester Junajtidin në Superkupën e Europës.
Reali i Zinedin Zidanit, Ramosit, Iskos, Asensios, Krosit, Modriçit, Marselos, Karvahalit, Kasemiros, Varanit. Veçse, edhe Reali pa Ronaldon dhe Reali i Bejlit e Benzemasë. Uellsiani e francezi nuk mundën sërish ta bënin “vezën” e portugezit, mungesa e të cilit po ndihet si ajo e oksigjenit.
I tillë është futbolli, me kthesat e tij tronditëse, me luhatjet e formës fizike dhe humorit të lojtarëve, si dhe me mungesat për shkak të dëmtimeve dhe pezullimeve. I njëjtë me motin që sa është i mirë, por pastaj fillon stuhia. Zidan nuk pati as Ronaldon, as Varanin, as Modriçin, as Kejlor Navasin, por gjithsesi, nuk mund të jetë ky një justifikim ndaj një skuadre kaq modeste si Levante, aq më tepër në Madrid.
Zidan u detyrua të hidhte në fushë disa lojtarë jo krejt të zakonshëm, si Markos Jorente, Teo Hernandez, Lukas Vaskez, Kiko Kasija apo Naço, ndërsa fitorja u bë iluzion për vendasit. “Duhet të përshtatemi me këtë ekip që kemi, – u shpreh trajneri më pas, – ju e dini se periudha e blerjeve ka përfunduar”.
Sfidanti.al