Fitorja ishte e madhe për njërën palë, humbja e rëndë për tjetrën, por momenti më i tmerrshëm i ndeshjes ishte tjetër. Kur Sadio Mane goditi me taka në fytyrë portierin Ederson, stadium “Etihad” mbajti frymën. Goditja ishte thuajse fatale dhe numri 1 i Mançester Sitit u largua nga fusha i dëmtuar, me ndihmën e frymëmarrjes artificiale.
Ishte po ky moment, në minutën e 37-të që, në një farë mënyrë, vendosi rrjedhën e përballjes së javës së katërt të Premier Ligës angleze. Siti, që kishte kaluar në epërsi me golin e Kun Agueros, pas 25 minutash lojë, e pati më të lehtë të arrinte qëllimin. Papritmas, raportet në fushë ndryshuan dhe Liverpuli që kishte qenë pranë barazimit, nuk arriti ta mblidhte veten.
Përfundimi ishte 5-0, shifra që as nuk mendoheshin kur dueli filloi. Përveç Agueros, nga dy herë shënuan Gabriel Zhezus dhe Leroi Sane. Dy yjet e rinj të sulmit duhet ta kenë kënaqur shumë Pep Guardiolën, ndërsa trajneri katalanas ka nevojë për çdo lojtar në formën maksimale në një sezon që do të jetë nën shumë presion. Pas dështimit të edicionit të kaluar, ish-trajnerit të Barcelonës i kërkohet të fitojë patjetër ndonjë trofe të madh, ose Premier Ligën, ose Championsin, dhe pse jo që të dyja bashkë.
Sa për Liverpulin, trajneri Klop duhet të jetë shqetësuar shumë, por gjithsesi, në Angli këto janë gjëra që ndodhin dhe kampionati është i gjithi përpara.
Sfidanti.al