Murinjo thumbon përsëri Vengerin: Arsenali është gati… për dështim!

Në një prononcim për “Tajmsin”, Zhoze Murinjo, midis të tjerave, duke përdorur ironinë e tij të hollë, edhe një herë tjetër, e thumboi trajnerin e Arsenalit, Arsen Venger, sikurse duket, duke e riaktivizuar duelin verbal mes tyre. Në fakt, asnjëherë, nuk ka pasur ndonjë dashuri të madhe mes Murinjos dhe Vengerit, ndërkohë që, zakonisht, deklaratat e helmta, i pari i bën Zhozeja, kur Arseni përgjigjet!

“Shumëkush thotë se unë jam një trajner kohëshkurtër, sepse lëviz nga klubi në klub. Ndoshta, njerëzit kanë të drejtë, por unë nuk mendoj se jam një trajner kohëshkurtër”, deklaroi Murinjo, duke vazhduar më tej: “Unë i bëj gati ekipet për sukses, pra, i bëj gati klubet deri në atë shkallë që, mbas largimit tim, trajneri pasues të marrë një ekip të përgatitur e me nivel të lartë. Pra, unë punoj për një projekt që vazhdon të realizohet edhe mbas largimit tim! Nëse ju punoni në një klub një ose dy vite ose në çdo lloj pune tjetër dhe, kur ju largoheni, keni lënë struktura më të suksesshme sesa ato që keni gjetur, kur erdhët, atëherë, kjo nuk është një punë kohëshkurtër, përkundrazi. Sidoqoftë, ndodh edhe se ju mund të qëndroni në një klub edhe 15 ose 20 vite, por, kur do të largoheni nga ekipi i caktuar, ju do ta bëni atë gati… për dështim”, vuri në dukje Murinjo, duke aluduar, pak a shumë hapur, për trajnerin e Arsenalit, Venger.

Sfidanti.al