VAR-it nuk ia VAR askush…

Arjan Bellai, trajner i Vores,  dhe Dinamo me nje deklarate proteste,  këtë fundjavë nuk i kanë përtypur aspak vendimet e arbitrave duke e drejtuar gishtin e akuzës ndaj gjykimit që sipas tyre penalizoi ndeshjet e radhës. Në epokën e VAR-it polemikat duket se nuk janë zbehur, madje shpesh herë dallga e akuzave duket edhe më e madhe por asnjë problem…gjithçka kalon pas tre ditësh edhe pse sot teknologjia duhej të ishte pararojë e gafave njerëzore. VAR-it tashmë nuk ia VAR më askush dhe duket se jemi kthyer pas në kohë.

Futbolli shqiptar është gjithmonë në “pozicion jashtë loje” pavarësisht pamjeve që shpesh herë janë të qarta sepse në fund të ditës janë njerëz ata që marrin vendimet. Nëse kjo skemë përsëritet çdo javë, atëherë lind pyetja: pse na hyn në punë VAR-i? Mos do të ishte më mirë që ta largojmë nga loja dhe ta postojmë në tribunë thjesht si spektator? Në këtë mënyrë mund t’u japim edhe më shumë “ushqim” moviolistëve dhe ta mbyllim debatin me një “shkulje veshi” për arbitrat që sot kanë dyfish përgjegjësi pasi duhet të justifikojnë veten dhe VAR-in.

Nga Pirro Bardhyli