Vaftë në djall..Suedia: Mama mia, Mondiali pa Italinë!

E gjithë Italia ka pësuar një goditje shoku të madh, pasi ajo nuk do të marrë pjesë në Kupën e Botës Rusi-2018, sepse u eliminua nga Suedia (1-0, 0-0), gjë që asaj i ka ndodhur vetëm një herë, para 60 vitesh (1958). Shumëkush fajin kryesor ia hedh trajnerit Xhampiero Ventura, por, megjithatë, ajo që është më e rëndësishmja tani për Italinë, është që të gjejë forca ta kapërcejë këtë situatë krize të madhe dhe të mos lejojë që të përsëritet “skenari holandez”, pasi “tulipanët” e gjetën veten përsëri “aut”, kësaj here, në konkurrimin më të rëndësishëm botëror, pa ndonjë të ardhme më të ndritur në të ardhmen.

Italia ndodhet në udhëqkryq, ndërkohë që “Gazeta delo Sport”, menjëherë mbas dështimit të madh të Italisë, bëri një minianalizë se kush nga lojtarët do të duhet që t’i thotë lamautimirë përfaqësueses dhe kush do të qëndrojë. Xhanluixhi Bufon, përfundimisht, do të largohet dhe shoqëri atij do t’i bëjnë bashkëlojtari i tij te Juventusi, Barsalji, si edhe Daniele de Rosi që në Evropianin 2020 do të ishte 37 vjeç. Xhorxho Kielini, po ashtu, po mendon për largimin nga kombëtarja, por, sidoqoftë, duket se ai do të presë se kush do të caktohet trajner i ri, para se të marrë vendimin përfundimtar.

Azurët në ciklin kualifikues të radhës do të kenë Veratin, Bonuçin, Kandrevën, Parolon, Imobilen, Insinjen, Belotin…, por, sidoqoftë, këta emra nuk duket se do të mund të garantojnë një kthim të shpejtë të Italisë në skenën e madhe të futbollit. Nga të rinjtë, Donaruma me siguri që do të zejë vendin e Bufonit, ndërkohë që pritet një rol të rëndësishëm të luajnë edhe Bernardeski, Romanjoli, Rugani, Galjardini, Kieza…. Rruga përpjetë, gjithnjë, është e vështirë, sidomos, pas një fiaskoje të tillë të madhe që pësoi Italia.

Sfidanti.al