Rreth një javë më parë, u tha se futbollistët veteranë të Bajernit të Mynihut, holandezi Arien Roben dhe francezi Frank Riberi, ndodheshin në krye të revoltës kundër trajnerit Niko Kovaç, duke e konsideruar atë fajtorin kryesor për rezultatet e dobta të skuadrës bavareze.
Por gazeta gjermane “Kicker” shkruan se dy lojtarët e mësipërm nuk kanë lidhje me rastin në fjalë dhe se janë tre futbollistë të tjerë ata që po lobojnë për shkarkimin e trajnerit kroat dhe fjala është për Mat Humelsin, Hamez Rodrigezin dhe Sandro Vagnerin.
Tre lojtarët e mësipërm, sidomos dy të fundit, duke qënë të pakënaqur me minutazhin e tyre të vogël në lojë, duan që Kovaçi të largohet. Vagneri dhe Hamesi, në fakt, nga gjithsej 1800 minutat të këtij sezoni kanë luajtur përkatësisht 238 dhe 639 minuta.
Sipas gazetës së lartpëmendur, ka shumë mundësi që të tre lojtarët e sipërpërmendur të largohen nga klubi bavarez gjatë sezonit të ardhshëm dimëror të transferimeve, pra Humelsi dhe Vagneri të shiten, kurse Hamesi të kthehet te Reali i Madridit, nga është marrë hua.
Sfidanti.al.