Trajneri i kombëtares, Duka cakton afatin e zgjedhjes dhe rrogën!

Gjithçka përfundon deri në fund të korrikut. Ky është caku që i ka vënë vetes Armand Duka për të zgjedhur trajnerin e ri të kombëtares. Presidenti i Federatës, që kthehet këtë të premte në në Shqipëri, nuk dëshiron të vonohet shumë për të pasur pasardhësin e Xhani De Biazit, duke pasur gjithnjë në mendje pistën italiane.

Xhankarlo Kamoleze është një nga emrat e vetëm të sigurt si kandidat. Ish-trajneri i Torinos, sot 56-vjeçar, nuk ka qenë i panjohur për Dukën që përpara dorëheqjes së De Biazit. Ishte vetë trajneri i kombëtares që ia sugjeroi Dukës emrin e Kamolezes, veçse për drejtor teknik. Kjo ndodhi në Stamboll kur Duka vizitoi ekipin para ndeshjes me Izraelin.

Pas largimit të De Biazit, situata ka ndryshuar dhe Shqipëria ka nevojë më urgjente për trajner sesa për drejtor teknik. Si drejtor, ka dalë në skenë edhe emri i Masimo Morxhias, veçse gjithçka do të përcaktohet si paketë, pra duke biseduar edhe me trajnerin si dhe me De Biazin.

Si kandidatë potencialë për kombëtaren mund të quhen edhe emra të njohur të shkollës italiane si Zakeroni, Guidolin apo Di Mateo, veçse Duka ka një cak edhe në aspektin financiar. Trajnerë të tillë kanë punuar vazhdimisht me shifra mbi 1 milionë euro në sezon, ndërsa Shqipëria nuk mund të japë më shumë se 500 000 euro, aq sa ishte rroga e De Biazit.

Sfidanti.al