Trajneri i ardhur nga Austria dhe mbledhjet e së hënës te Kukësi

Padyshim që presidenti kuksian, Safet Gjici, fitoi shumë pikë me caktimin e trajnerit të ri. Jo se është e sigurt që do të ketë sukses, pasi në futboll asnjëherë nuk parashikohet, aq më shumë kur të huajt vijnë në Shqipëri, por gjithsesi Peter Pakult është një emër i rëndësishëm i trajningut dhe një vlerë e shtuar për Kukësin.

Ish-lojtari i kombëtares së Austrisë, i Rapidit të Vjenës, dhe ish-trajneri i Rapidit e i shumë skuadrave në Austri, Gjermani e Ballkan, është përforcimi i duhur për fazën e dytë të sezonit, por pyetja që vjen menjëherë dhe natyrshëm është: Çfarë do të bëhet me mbledhjet e ditëve të hëna në zyrën e presidentit?

A do të pranojë një njeri me famën e Pakultit një kalendar të tillë javor, që ngjan më shumë me mbledhjen e organizatës bazë të Partisë dikur, sesa me stilin e punës në një klub futbolli? Koha do ta tregojë, por Kukësi nuk do të ketë shumë “hajër” nëse Pakult do të bjerë në po ato pozita që u detyruan të binin Gjoka apo Milinkoviçi.

Dikur, në kursin për trajner në Kamzë, ish-lektori i famshëm italian, Franko Ferrara, u thoshte shqiptarëve: E dini si duhet të silleni kur presidenti hyn në dhomën e zhveshjes dhe mban fjalim para skuadrës? Ju duhet të vini duart në brez dhe të prisni që presidenti të përfundojë, dhe pasi ai të ketë dalë nga dhoma, ju do t’u thoni lojtarëve “tani le të  vazhdojmë””! Shpresojmë që Pakult të pranojë që kjo të ndodhë në dhomën e zhveshjes, jo në dhomën e presidentit.

Sfidanti.al