Me 500 milionë USD pasuri nuk mundi ta “korruptonte” vdekjen, dhe fatkeqësia goditi edhe atë. Ndonëse nuk jam aspak fetar, në raste të tilla si e vdekjes së legjendës Kobi Brajant (dhe vajzës së tij të mrekullueshme) të shkon mendja tek shprehja që populli ia “mvesh” fesë, “kur të vdesim, do të marrim vetëm 2 metra vend”. Tragjedia e tmerrshme ndodhi në Kalabasas të Kalifornisë, pasi helikopteri ku ndodheshin viktimat pësoi aksident dhe u rrëzua. Në bord ishte Kobi, vajza 13-vjeçare Xhana (Gianna), si dhe tre persona të tjerë.
Nga familja e legjendës së NBA-së mbetën gjallë e shoqja Vanesa, dhe tre vajzat e tjera, Natalia, Bianka dhe Kapri. Gjithë bota i shprehu ngushëllimet familjes dhe basketbollit amerikan, ndërsa vdekja e legjendës ishte një goditje e rëndë për sportin, por sidomos nga ana njerëzore. Gjithsesi, ishte një tragjedi në përmasa të vogla, në krahasim me atë që ndodh në zona të tëra të botës, sidomos në Lindjen e Mesme, si në Siri e Irak, siç ndodh në Libi, Filipine apo Mijanmar, siç ndodhi në Ukrainë, apo më herët në vendet e ish-Jugosllavisë.
Sfidanti.al