Një nga ato histori kundër rrjedhës, të tilla që sa më shumë të vrapojë koha, aq më shumë do të ngjajnë si përrallat e 1001 netëve. Legjenda e Françesko Totit nisi pikërisht 27 vjet si sot, në 28 mars 1993, kur në fund të një ndeshjeje aspak të lavdishme, që Roma e luante në fushën e Breshës, ai u urdhërua të aktivizohej.
Skena e parë ishte stadiumi “Rigamonti” dhe njeriu që i dha shtysën fillestare quhej Vujadin Boshkov. Për ata të rinjtë që ndoshta nuk e dinë, fjala është për një trajner të madh të shkollës jugosllave, me përkatësi kombëtare serbe, dhe që ishte bërë i lavdishëm me Realin e Madridit dhe Sampdorian, por që në atë kohë ishte tek Roma.
Toti ishte 16 vjeç e gjysmë, ndërsa Boshkovi i tha “jepi se do të hysh” (dai, che entri). Françesko tregon më pas se nuk e kuptoi se ishte fjala për të, mendoi se trajneri po i thoshte Mucit. Më pas, u përmend dhe hyri. “M’u duk se zemra më kishte ndaluar, po më dridheshin këmbët”, – u shpreh ai për atë moment. Nuk ishte një sezon i madh për romanistët, ndërsa në Breshë, Totit iu dha rasti për shkak të mungesave të shumta. Piaçentini e Karnevale ishin të pezulluar, Karboni, Petruci dhe Hesler ishin të dëmtuar, po ashtu Muci nuk ishte në 100 për qind.
Roma ishte në vend të 10-të, ishte eleminuar nga Kupa e Kupave të Europës, ndërsa pak më vonë presidenti Xhuzepe Çarrapiko do të arrestohej në kuadër të “Tanxhentopolit” (e do të vdiste në burg). Në atë sezon të errët, tifozët do të merrnin një dhuratë, që do ta vlerësonin më vonë. Françesko Toti do të bëhej njeriu më i lavdishëm në historinë e klubit, njeriu i një skuadre të vetme si pak të tjerë, nga ata që janë specie në zhdukje. Ai refuzoi Realin e Madridit, Milanin dhe Mançester Junajtidin, duke mos fituar shumë trofe, por duke fituar diçka që nuk mund të matet, dashurinë e pavdekshme të një qyteti.
Sfidanti.al