Jo më kot quhet Juventus, akord me yjet për uljen e pagave!

Pa zhurmë e pa bujë, e tregoi veten se është një nga klubet më profesionistë të futbollit në Europë e në botë. Juventusi arriti një tjetër fitore në mënyrën sesi punon, pikërisht atë që bindi yjet e saj për të pranuar uljen e rrogave. Një komunikatë nga Torino njoftonte se ishte arritur marrëveshja me Kristiano Ronaldon me shokë, që të pranonin uljen e rrogës vjetore, saktësisht heqjen dorë nga pagesat për muajt mars, prill, maj dhe qershor 2020. Mediat italiane shkruajnë se Juventusi do të kursente rreth një të tretën e shumës totale të rrogave. Në total, “Zonja e Vjetër” ka një bordero rrogash prej 137 milionë eurosh, me një diferencë të madhe me vendin e dytë, Romën (90 milionë), dhe më të madhe akoma me Interin, që i paguan lojtarët e tij me më pak se gjysmën e shumës së bardhezinjve, saktësisht 66 milionë euro. Presidenti Anjeli arriti një sukses, ndërsa rrugën ia kanë treguar paraardhësit e tij, gjithashtu të familjes Anjeli.

Sfidanti.al