Totenhemi ndal Realin në Madrid, anglezët shkëlqejnë në Champions!

Totenhemi, Liverpuli dhe Mançester Siti. Shpikësit e futbollit po kujtohen për ta luajtur sërish atë, duke qenë konfirmimi i ndeshjeve të treta në grupet e Championsit. Totenhemi arriti rezultatin më të rëndësishëm, një barazim 1-1 në fushën e kampionëve në fuqi, futbollistëve të Realit të Madridit, madje duke qenë në avantazh. Të organizuar nga trajneri shumë i mirë argjentinas, Maurisio Poçetino, dhe të frymëzuar nga ylli i tyre kryesor, Harri Kejn, luajtën thuajse si të barabartë me gjigandët e Europës, në stadiumin e tyre “Santiago Bernabeu”.

Jorente kërkoi penallti, Harri Kejn detyroi Varanin të shkaktonte autogol, dhe Joris bëri të paktën tri pritje të mëdha në pjesën e dytë, njërën prej tyre ndaj Kejnit. Reali i Zidanit gjithsesi nuk mund të mohohej plotësisht. Pesë apo gjashtë raste për gol u krijuan në portën angleze, dhe portieri mik, Joris, ishte po ashtu për vlerësime maksimale. Kristiano Ronaldo shënoi me penallti, ndërsa madrilenët kërkuan edhe një 11-metërsh tjetër që nuk u dha.

Liverpuli shënoi 7 gola në fushën e Mariborit, në grupin E, duke dalë në vend të parë. Të besuarit e Jurgen Klopit lanë pas barazimin e pamerituar ndaj Mançester Junajtidit, duke gjetur rrjetat me anë të Roberto Firminos, Filip Kutinjos, Mohamed Salahit, sërish Mohamed Salahit, Roberto Firminos, Okslejd-Çembërlenit dhe Aleksandër-Arnoldit. Po në këtë grup, Sevilja mori një “dru të shëndoshë” në Moskë, nga Spartaku vendas, 5-1. Kuinsi Promes shënoi dy herë për rusët, Georgij Xhikija, Lorenso Melgareho, Denis Glushakov dhe Luiz Adriano nga një, ndërsa Simon Kjer barazioi përkohësisht për spanjollët që rrezikojnë eleminimin, edhe pse ka ende mjaft ndeshje.

Mançester Siti ishte fituesi i tretë, ndër tri anglezet e së martës. Suksesi i tretë radhazi për djemtë e Pep Guardiolës, edhe pse Napoli rrezikoi deri në fund që të barazonte. Rahim Stërling e Gabriel Zhezus shënuan në 9’ e 13’, ndërsa Dris Mertens humbi penallti në 38’. Pas pushimit, Amadu Diauara shkurtoi diferencën në 73’, por napolitanët e Sarrit u zgjuan vonë. Gjithsesi, problemi më i madh është që Shahtar (Shahtjor) i Donjeckut fitoi 2-1 në Holandë ndaj Totenhemit, dhe është në vend të dytë me 6 pikë ndaj 3 të italianëve.

Në grupin G, Monako vazhdoi “rënien e lirë” me humbjen 1-2 në fushën e vet ndaj Beshiktashit, ndërsa Lajpcigu mundi 3-2 Porton, diçka aspak e vogël për nënkampionen e Gjermanisë ndaj një skuadre me shumë përvojë. Duke u kthyer në grupin e Realit dhe Totenhemit, Dortmundi i prishi edhe më shumë punë vetes duke barazuar 1-1 në Qipro, ndaj APOEL-it të Nikozias, madje u desh goli i grekut Sokratis Papapostolus që të shmangej humbja.

Sfidanti.al