Është një mrekulli kur përballë dalin dy boksiere nga dy vende shumë të zhvilluara. Mikaela Lauren nga Suedia do të ndeshet në 21 tetor me Sesilia Brekhusin nga Norvegjia, për titujt botërorë në peshën e mesme, veçse përpara sesa të shkojë puna te grushtat, dy vajzat bënë diçka tjetër. Në të vërtetë, ishte vetëm njëra prej tyre që e bëri, pikërisht suedezja. Në kohën që rivalet ishin sy më sy, në një moment përballjeje nervash, Lauren iu afrua me shpejtësi Brekhusit dhe e puthi në buzë, përpara sesa ajo ta ndalonte.
Pasi akti ishte “konsumuar”, Sesilia reagoi duke e shtyrë suedezen, por pa kaluar mirë disa sekonda, nisi të qeshte me të madhe. Norvegjezja me origjinë kolumbiane tregoi se e njihte mirë sensin e humorit duke thënë me zë të lartë se “kisha kohë pa e provuar këtë”. Nuk mund të krahasohet me konferencat para ndeshjeve të boksierëve meshkuj, qofshin këta nga SHBA, Britania apo ndonjë vend tjetër (Kliçkot nga Ukraina dhe Golovkin nga Kazakistani, në të vërtetë, kanë qenë me më shumë respekt).
Sesilia Brekhus është kampionia në fuqi e botës, pasi 36-vjeçarja mban brezat e federatave WBA, WBC, IBF dhe WBO. Në 2013, ajo u ndesh me Laurenin (ish-notare) dhe e mundi me nokaut teknik.
Sfidanti.al