Nëse Bajerni do të kishte dashur të merrte një lajm të mirë dy ditë pasi shorti e vendosi përballë Realit në Champions, nuk mund të kishte më pozitiv se ky. Tomas Myler e shpërbleu më në fund besimin e trajnerit Karlo Ançeloti dhe shënoi një gol të rëndësishëm. Sulmuesi, që duhej të kishte qenë kryesori i skuadrës, realizoi rrjetën e vetme të bavarezëve në ndeshjen derbi në fushën e Borusias së Mynshengladbahut. Ishte minuta e 69-të dhe Myler dërgoi përtej vijës fatale topin që ia pasoi Tiago Alkantara.
“Unë gjithnjë kam pasur besim tek vetja ime”, – tha Tomasi pas ndeshjes, ndërsa Ançeloti shtoi se “unë gjithnjë kam pasur besim tek lojtari im”. Trajneri vlerësoi se Myler ka luajtur mirë edhe kur nuk ka shënuar, veçse Bajerni do ta ketë më të lehtë ndaj Madridit nëse i ka në formë të gjithë lojtarët e rëndësishëm. Arjen Roben po ashtu ishte në formë, ndërsa Levandovski kurrë nuk ka zhgënjyer. Fitorja në Gladbah bëri që bavarezët të “kapitalizonin” plotësisht situatën e krijuar pas humbjes së Lajpcigut. Bajerni ka 62 pikë ndaj 49 të Rasenballit.
Sfidanti.al