Akuzat e Cungut bëjnë edhe më shumë “pis” Superligën!

Vllaznia e shënoi golin e saj dhe për 3 minuta besoi se e kishte fituar ndeshjen ndaj Teutës në Superligën shqiptare. Gjithsesi, kjo vlejti nga minuta e 82-të deri në të 85-ën, pasi në atë moment gjyqtari Olsi Sokoli ndryshoi mendje dhe e anuloi rrjetën e të riut Hebaj. Nuk vlejtën protestat e shkodraënve, vlerë patën vetëm ato të durrsakëve. Në përfundim të ndeshjes së fundit të javës së 26-të, Armando Cungu, trajneri i Vllaznisë, lëshoi deklaratën-akuzë. “Këtu tek ne është ligji kush bën presion, fiton”.

Qartazi ai e pati fjalën për golin e anuluar, që mund t’i kishte dhënë tri pikët kuqebluve. Ndeshja në Shkodër ishte e fortë dhe në minutën e 6-të, Vllaznia e pati penalltinë, por që u humb nga Bakaj, ndërsa që në minutën e 56-të, Teuta mbeti me 10 lojtarë sepse Progni mori të verdhën e dytë, pra edhe të kuqin. Vllaznia ka tani 32 pikë, 10 më shumë se vendi i parafundit, ndërsa Teuta u ngjit në 28, për të marrë frymë pak më lirisht.

Sfidanti.al