Barcelona nuk abdikon në Spanjë, Mesi “mbret” i golave!

Nuk është në formën më të mirë të mundshme, por një paralajmërim e pati për dy rivalët. Reali dhe Juventusi le ta dinë se Barcelona mbetet gjithjnë vetvetja. Katalanasit triumfuan në një ndeshje delikate, atë ndaj Valencias në “Kamp Nou”, me shifrat 4-2 dhe nuk abdikuan në luftën për titull.

Më i miri lojtar në fushë si përherë ishte Lionel Mesi. Më pranë rinovimit të kontratës dhe më pranë Këpucës së Artë në ligën spanjolle dhe në Europë. Argjentinasi shënoi dy herë, një me 11-metërsh dhe herën tjetër jo me këmbën më të mirë, me të djathtën, por edhe shërbeu vazhdimisht për shokët e tij. Nejmar, Suarez dhe Rakitiç patën mundësi të shënonin nga pasimet apo gjuajtjet e numrit 10.

Suarez po ashtu ishte i denjë si pjesëtar i MSN-së, pasi shënoi golin e parë dhe fitoi penalltinë që solli rrjetën e Mesit dhe përjashtimin e Mangalës. Një tjetër yll i MSN-së, Nejmar, që goditi shtyllën. Kishte qenë pikërisht Mangala që kishte kaluar në epërsi Valencian, ndërsa Munir El Hadadi, lojtar i dhënë hua nga katalanasit, i kërkoi falje “Kamp Nout” për rrjetën e shënuar në portën e Ter Shtegenit.

Në stadium ishin plot 78 675 tifozë, të cilët nuk mund të thuhet se nuk u kënaqën, për më tepër Barcelona nuk mbeti prapa Realit, por iu përgjigj duke pasur tani 63 pikë ndaj 65 të madrilenëve. Mesi është shënuesi më i mirë i ligës me 25 gola, ndërsa Barça ka shënuar 81 (dhjetë më shumë se ekipi i Zidanit), dhe ka pësuar 25 (tre më pak).

Sfidanti.al