Titullar apo zëvendësues, Mesi është gjithnjë vendimtar!

Trajnerëve të tij vazhdimisht u ka thënë se e ka më mirë ta nisë ndeshjen nga stoli e të hyjë më pas, sesa që të jetë titullar e të zëvendësohet. “Kali i kuq e ka një huq” dhe të tillë e ka edhe Lionel Mesi, me të tillë si Valverde, Setien apo deri diku edhe Ronald Kuman, që ia bëjnë qejfin. Ndoshta, Guardiola e Luis Enrike ishin ndryshe. Mesi e nisi pikërisht si rezervë sfidën e vështirë të Barcelonës në fushën e Betisit, dhe katalanasit po humbisnin 0-1 derisa ai nuk po luante.

Sidoqoftë, përtej krizave të këtij sezoni dhe problemeve me klubin e me kontratën, kapiteni mbetet aq i përqëndruar tek futbolli sa të hyjë e të shënojë në vetëm 3 minuta. “Mesi pati nevojë vetëm për 3 minuta për të shënuar dhe 12 minuta për të krijuar një gol tjetër”, – shkruan “El Mundo Deportivo”, ndërsa “AS” e Madridit titullon se “Mesi e bën Barçën që të besojë”. Skuadra e Kumanit ka 43 pikë, po aq sa Reali veçse me golaverazh më të mirë (dhe ndeshje direkte negative), por 7 pikë prapa Atletikos së Madridit që ka dy ndeshje në dorë për të luajtur. Borha Iglesias kaloi Betisin përpara, Mesi barazoi në 58’ dhe Viktor Ruiz shkaktoi autogol për vendasit. Më pas, Ruiz barazoi dhe Trinsao shënoi golin e fitores për miqtë.

Sfidanti.al