Donçiç-Kërri ishte një duel qiellor në NBA, sa keq që nuk luftojnë dot për titull!

NBA ndiqet sidomos për përballje të tilla. Një duel mes dy prej yjeve më të mëdhenj u luajt në Arenën e Dallasit, ku sy më sy ishin Luka Donçiç për vendasit dhe Stefën Kërri për Golden Stejtin. Ata e kthyen ndeshjen mes dy ekipeve në një çështje personale, duke realizuar së bashku plot 99 pikë, aq sa zakonisht shënon një skuadër e tërë.

Më i miri në fushë ishte ylli mik, Kërri, që arriti deri në 57 pikë, duke treguar se po kalon formën më të mirë të jetës së tij. Kjo, vetëm një muaj pasi ai realizoi 62 pikë, rekordin e karrierës, në fitoren ndaj Portlendit. E gjitha kjo vetëm në 37 minuta në parket, me 11 gjuajtje të sakta për tri pikë nga 19 të provuara gjithsej. Ai pati edhe 2 topa në tabela, 5 asistë dhe 1 vjedhje topi, por nuk e shmangu dot humbjen 132-134. Nëse do të kishte pasur në krah të paktën kapitenin e tij, Klej Tompson, ndoshta do të kishte fituar dhe Golden Stejti do të ishte sërish pretendent për titull, por Tompson mbetet i dëmtuar.

Në krahun tjetër, Donçiç fitoi ndeshjen, ndonëse humbi duelin me Kërrin. Ylli 21-vjeçar nga Sllovenia ishte edhe ai tepër i frymëzuar me 42 pikë të shënuara, si dhe 7 topa në tabela e 11 asistë. Shifra e 42 pikëve përfaqëson rekordin personal të Donçiçit që vazhdon të përmirësohet, ndonëse sezoni i Dallasit ka qenë shumë i keq deri tani. Duket e pabesueshme sesi skuadra e dikurshme e Dirk Novickit nuk është në gjendje të krijojë një lojë fituese duke pasur në përbërje një nga lojtarët më të mirë të NBA-së. Golden Stejti është në vendin e 8-të në Konferencën Perëndimore, ndërsa Dallasi është i parafundit po në Perëndim.

Sfidanti.al