Për herë të parë një klub i Amerikës Veriore në finale të Botërorit!

Quhet Tigres, është ekip nga Meksika, dhe shkaktoi një të papritur të madhe duke eleminuar Palmeirasin e Brazilit e duke u kualifikuar për në finalen e Kupës së Botës për klubet. Parashikimet ishin krejt ndryshe, por ja që meksikanët e trajnerit Rikardo Ferreti nuk e vranë mendjen për këtë gjë dhe triumfuan 1-0 me gol të shënuar në 54’ me penallti. Autor ishte Andre-Pjer Zhinjak, ai që shënoi dy herë në çerekfinale ndaj Ulsan Hjundait, ndërsa Tigresi e meritoi plotësisht kualifikimin duke dominuar për 90 minuta, e Palmeirasi u shpëtua disa herë nga pritjet e mëdha të portierit Ueverton.

Është hera e parë që një ekip nga Amerika e Veriut kualifikohet për në finalen e Kupës së Botës për klubet, ndërsa Tigresi është një emër i njohur në Meksikë me 7 tituj kampion, 3 kupa, 3 tituj kampion i kampionëve dhe një superkupë. Është për t’u habitur që kjo ndodhi kaq vonë ndërsa ekipe nga Afrika apo Azia kanë arritur në finale më parë. Ky kompeticion është kthyer në një vitrinë për sulmuesin francez, Andre-Pjer Zhinjak që po shkëlqen në moshën 35-vjeçare.

Sfidanti.al