Haaland apo Sancho? Kë do të largojë Dortmund për të rregulluar financat?

Borussia Dortmund nuk po kalon momentin e saj më të mirë si në aspektin sportiv ashtu dhe atë financiar. Klubi gjerman parashikoi një humbje për sezonin aktuar deri në 75 milionë Euro për shkak të pandemisë coronavirus, një shifër kjo që do të jetë akoma më e madhe nëse Dortmund do të dështojë në synimin për t’u kualifikuar në Ligën e Kampioneve.

Për të eliminuar këtë efekt të coronavirus, në Signal Iduna Park tashmë  janë të bindur se do të duhet të shesin një prej 2 yjet e skuadrës në fund të sezonit; Erling Haaland ose Jadon Sancho. Ende nuk është e qartë se cili prej lojtarëve do të sakrifikohet për të siguruar të ardhurat e nevojshme. Sipas Transfermarkt, vlera në merkato për të dy lojtarët është 100 milionë Euro, një shifër që duke marrë parasysh situatën aktuale është e papërballueshme nga cdo klub.

Kështu në zyrat e Dortmundin po mendojnë për zgjedhjen e të sakrifikuarit dhe gjithcka thotë se do të jetë Sancho ai që do të largohet për të mbushur arkat e klubit verdhezi. Përpara 1 viti, Manchester United e kërkoi me forcë futbollistin e përfaqësueses angleze, por tani Sancho figuron edhe në listën e dëshirave të Chelseat të Tuchel.

Në atë kohë, Dortmundi kërkoi 120 milionë Euro për  sulmuesin, një pretendim të cilin do të duhet ta ulë ndjeshëm për të gjetur një akord me ndonjë prej klubeve të interesuara për të. Rasti Haaland është ndryshe.  Talenti norvegjez, përvec rëndësisë që ka në fushën e lojës, shndërrohet në një lojtar të patransferueshëm nga klauzola e kontratës së tij prej 75 milionë Eurosh që nuk hyn në fuqi përpara vitit 2022.

Sfidanti.al