Titull tek Monako e PSG, tani Mbape kërkon “Championsin në shtëpi”!

Sulmuesi më i mirë i Francës ka gjetur një mënyrë origjinale për të festuar titullin të fituar me Paris SG. Edhe pse në tavolinë, pa e mbyllur kampionatin, sërish ai mbetet trofe i madh për Kilian Mbapenë, dhe është i 4-ti në karrierën e 21-vjeçarit. Me gjasë, ai do të bëhet një rekordmen europian për titujt duke kërcënuar të tillë si Gento e Mesi, por më shumë Mbapeja pëlqen të fitojë diçka tjetër, dhe kjo “diçka tjetër” është Championsi.

Postimi i tij në rrjetet sociale ishte kuptimplotë, me dy foto ngjitur, që tregonin titujt me Monakon dhe Paris SG, dhe me shkrimin se “Championsi duhet të kthehet në shtëpi”, pra të vijë në Paris, aty ku edhe u konceptua si ide nga gazetari francez, Gabriel Ano (Hanot), që punonte tek “L’Ekip”.  Natyrisht, Mbape besohet se shpreson ta fitojë Championsin me PSG-në, por këtë mund ta bëjë në të ardhmen edhe tek Reali, ku besohet se do të shkojë. Në Francë, Mbape ka fituar titullin në 2017 me Monakon, dhe në 2018, 2019 e 2020 me parizienët.

Sfidanti.al