Tre pozitivë te Këlni, por në Gjermani krenohen me sistemin e tyre!

Rifillimi i Bundesligës mund të jetë në dyshim, por duket se “të zotët e punës” mendojnë ndryshe. Edhe pasi 3 pjesëtarë të skuadrës së Këlnit dolën pozitivë për koronavirus, një ditë më parë, sërish ekziston mendimi optimist, siç shprehet Tim Majer (Meyer), shefi i Grupit Mjekësor të Punës në Ligën Gjermane të Futbollit. “Ne e shohim në jetën e përditshme, – tha ai, – se koncepti ynë i njeh dhe i kufizon rreziqet sapo ato shfaqen. Ne jemi të bindur se me konceptin tonë, ne mund t’u bëjmë të mundur lojtarëve që të stërviten, që të praktikojnë profesionin e tyre me mbrojtjen më të mirë kundër infeksionit”.

Tre pjesëtarët e Këlnit nuk kishin simptoma dhe kjo do të thotë se ata mund të trajtohen e të shërohen shumë më lehtë se ata që mund të pikasen me sëmundjen në gjendje të përparuar. Gjithsesi, rifillimi i Bundesligës do të varet nga vendimi i qeverisë gjermane të Kancelares Merkel që pritet të merret të mërkurën e ardhshme. Kampionati është ndërprerë që nga 13 marsi, dhe parashikimet më optimiste thonë se mund të nisë të luhet në 16 maj.

Sfidanti.al