Xhanluixhi Bufon dhe Leonardo Bonuçi ishin në qendër të vëmendjes së tifozëve të ndryshëm në rrjetet sociale, pas hedhjes së shortit të Championsit. Shumë prej atyre që postuan komente, talleshin me fjalët e thëna nga Bufon përpara shortit, kur ishte shprehur se “do të doja të mos ndesheshim me Leisterin”. “Bufon, t’u plotësua dëshira, – shkruanin tifozët, – Leisteri nuk iu takoi. Besoj se je i kënaqur me Barcelonën”. Juventusi do të ndeshet me katalanasit në çerekfinale, me ndeshjen e parë në Torino.
Po kështu, komente thumbuese për Bonuçin, që gjithashtu ishte shprehur se nuk ia kishte frikën Barçës. “Bonuçi, do të të duket shumë e vështirë detyra, pasi përballë do të kesh Mesin”, – ishin komentet e tifozëve, shumë prej të cilëve nuk ishin aspak juventinë. Tifozët e Juventusit e vinin theksin tek fakti se shorti krijoi mundësi për hakmarrje për finalen e humbur ndaj Barcelonës në Ligën e Kampionëve, dy vjet më parë.
Sfidanti.al