Murinjo di të befasojë: Kemi shumë armiq, do humbasim ndeshjen të dielën!

Trajneri i Mançester Junajtidit, Zhoze Murinjo, nuk ishte aspak i kënaqur me lojën që tregoi ekipi i tij në ndeshjen e kthimit (1-0), në fushën e vet me Rostovin rus në kuadrin e Ligës së Evropës, por, megjithatë, ai nuk bëri asnjë vërejtje në adresë të lojtarëve të tij, por kritikoi kalendarin e ndeshjeve që, sipas tij, ka patur një konotacion negativ për ManU-në që nga fillimi i këtij sezoni. Trajneri i “djajve të kuq” kritikoi disa herë terminet e përcaktuar nga FA-ja (Federata Angleze) për ekipin e tij dhe, sidomos, një zhurmë të madhe ai bëri në konferencën e shtpit që dha mbas ndeshjes me Rostovin, madje, edhe duke parashikuar humbjen e ekipit të tij të dielën e ardhshme.

Mançesteri, ketë të diel, do të luajë në “Rivresajd” me ekipin Midëllsborou, ndërkohë që Murinjo vuri në dukje se lojtarët e tij janë të lodhur, për shkak të kalendarit të ngjeshur të ndeshjeve dhe se ata e kanë të vështirë që ta rimarrin veten pas një jave kaq intensive, duke shkuar sa andej-këndej. Junajtidi, të enjten e javës së kaluar luajti në Rusi, të hënën e mëpasme me Celsin në FA Kupë dhe, këtë të enjte, ndeshjen e kthimit me Rostovin në “Old Traford”. “Ne kemi shumë armiq. Në rastin, konkret, ky duhet të ishte vetëm Rostovi, por jo, ka edhe të tjerë. Më besoni është e vështirë që të luash të hënën dhe, pas tri ditësh, të luash përsëri. E vështirë do të jetë edhe të luash të dielën në mesditë. Ne, me të vërtetë, kemi shumë armiq. Por, neve nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të luftojmë. Djemtë e mi janë të jashtëzakonshëm, por, megjithatë, të dielën ata do të humbasin”, tha Murinjo.

sfidanti.al