Tifozët për Juven e Pirlos: Bind në 90’ më shumë se Sarri në 1 vit!

Ndoshta është e padrejtë në drejtim të ish-trajnerit, por as nuk mund të pritet delikatesë nga ultrasit e futbollit. Për ata ekziston vetëm skuadra e tyre, pa le të plasë lufta civile, po të dojë. Të tillë tifozët e çmendur të Juventusit që u kënaqën jashtë mase nga fitorja 3-0 ndaj Sampdorias në “Alianc”, ndërsa ndjenë se loja ishte ajo që ata pëlqejnë. Kampionët e Italisë fituan në nisje të Serisë A falë golave të Kulushevskit, Bonuçit e Kristiano Ronaldos, dhe rrjetet sociale ia bënë “bam”. “Më shumë bindi Pirlo në 90’ sesa Sarri në një vit të tërë”, ishin disa komente.

Po trajneri çfarë tha? “Na mungojnë disa lojtarë, por do të përpiqemi t’ia dalim me këta që kemi, – u shpreh ai, – duhet të gjejmë skemat taktike që t’i shkojnë lojtarëve që kemi. Sa për Ronaldon, ai nuk është ende i lodhur, kur të jetë do të pushojë edhe ai disi, dhe Kristiano e kupton sepse është inteligjent”. Pirlo thotë se frymëzohet nga Barcelona e Guardiolës, nga Milani i Sakit dhe Juvja e Kontes, por për momentin nuk mund të bëjë “kopje” dhe as nuk dëshiron ta bëjë. Stili do të vijë me kalimin e kohës, tani për tani duhen pikët.

Sfidanti.al