Mund të kishte qenë një moment kthese. Ndoshta edhe jo, por ishte çasti në të cilin shpërthyen polemikat në “San Siro”. Siç ndodh shpesh në Itali, triumfi 3-0 i Interit ndaj Milanit në gjysmëfinalen e Kupës, u errësua mjaft nga protestat për golin e anuluar për kuqezinjtë. Benaser realizoi, arbitri dhe VAR-i konfirmuan se nuk pati prekje me dorë, por ishte pozicioni jashtë loje që e bëri lëmsh. Arbitri Mariani u detyrua t’i shikonte dy herë pamjet në monitor. Nuk vlejtën kundërshtimet e milanistëve, ndonëse trajneri Stefano Pioli nuk u kursye pas ndeshjes.
“Nuk kam parë kurrë një portier që pëson dhe nuk proteston kur mendon se është penguar nga një lojtar kundërshtar, – ishte kritika e teknikut kuqezi, – lojtarët e Interit protesuan për prekje të topit me dorë, jo për pozicion jashtë loje. Gjithsesi, ne humbëm. Na vjen shumë keq për tifozët, por duhet të reagojmë me bindje, dhe jam i sigurt se djemtë do ta bëjnë”.
Tifozët kuqezinj akuzuan për komplot në rrjetet sociale, duke theksuar gabimet e arbitrave ndaj ekipit të tyre këtë sezon, siç ndodhi në ndeshjen ndaj Specias në Serinë A. Në analizën e arbitrimit, “La Gazeta delo Sport” pohon se Milanit iu anulua goli pa të drejtë, por edhe që në ndeshje pati shumë dyshime. “Interi, një ulërimë për finalen, – titullon e përditshmja italiane, – një Lautaro i çmendur në derbin e Kupës. Dy magji të argjentinasit!”
Sfidanti.al