Thembra e Mërgim Berishës është bukuria e javës në Bundesligë!

Mund të cilësohet sezoni i tij. Mërgim Berisha po shkëlqen në Bundesligën gjermane dhe ja ku erdhi kontributi i radhës për skuadrën e tij, Augsburg. Një gol me thembër ishte jo vetëm më i veçanti i javës së 17-të, por edhe tepër i vlefshëm sepse siguroi tri pikët në shtëpi ndaj Borusias së Mynshengladbahut. Sulmuesi shqiptar nga Kosova, që ka luajtur më parë për Gjermaninë U21, është tashmë në formën më të mirë ndërsa ka mbushur 24 vjeç.

Kontributi i tij për Augsburgun është i madh sepse ka realizuar plot 4 gola si dhe ka shërbyer 4 asistë në vetëm 11 ndeshje që ka qenë në fushë. Në 17 tetor të vitit të kaluar ai arriti një kulm në karrierë duke i shënuar Bajernit legjendar të Mynihut, duke mposhtur portierin Manuel Nojer e duke i dhënë fitoren ekipit. Gjithsesi, pavarësisht formës së djaloshit me origjinë nga Theranda, Augsburgu rrezikon jo pak. Mërgim Berisha duhet të vazhdojë të shënojë sepse ekipi i tij ka vetëm 18 pikë, duke qenë jo larg vendeve të fundit dhe vetëm 2 pikë larg zonës që të rrezikon për rënien në kategorinë e dytë.

Sfidanti.al