Ter Shtegen ka duel me Nojerin, por Bajerni i kujton Barçës disa ditë të zeza!

Nuk ishte vetëm katastrofa e vitit 2020, 2-8 në çerekfinalet e Championsit të dy sezoneve më parë. Ajo mbrëmje në Lisbonë ishte kulmi i turpërimit të Barcelonës së Lionel Mesit (dhe të Ter Shtegenit) përballë Bajernit të Robert Levandovskit (dhe Manuel Nojerit). Në mbrëmjen e sotme që dy portierët gjermanë do të kenë një derbi të radhës, që mund të ndikojë edhe në hierarkinë në kombëtare, katalanasve u kujtohen disa ditë të tjera të zeza në Ligën e Kampionëve. Gjithnjë me Mesin në ekip (që këtë herë nuk e kanë), ata u shkatërruan radhazi, 0-3 me Romën, 0-4 me Liverpulin, 2-8 me Bajernin që e përmendëm më lart, ndërsa sezonin e kaluar patën 0-3 në “Kamp Nou” me Juventusin dhe 1-4 me Paris SG. A do të mundet ky ekip që të fshijë këto kujtime të hidhura? Nuk do të jetë e lehtë pasi vërtet ka lojtarë si Pedri, De Jong apo Depai, por baza e ekipit mbeten ata që kanë qenë në fushë gjithë këta vjet si Pike, Zhordi Alba, Buskets, Sergi Roberto dhe Ter Shtegen.

Sfidanti.al