Luhen gjashtë sfida, por vëmendja do të jetë në Zvicër. Kristiano Ronaldo kthehet në Champions si lojtar i Mançester Junajtidit pas plot 12 vjetësh, dhe kjo cilësohet ngjarje tepër e madhe, në fokusin e mediave dhe tifozëve. Superylli portugez, është rekordmeni i golave në këtë konkurrim, me 134 të tillë të shënuar për Junajtidin, Realin e Madridit e Juventusin, dhe natyrisht do të synojë ta rrisë më tej këtë rekord. Po ashtu, synon të fitojë edhe titullin e 6-të në karrierë, për t’u barazuar me legjendën e Realit, Gento, ndërsa Championsin e parë e fitoi pikërisht me Junajtidin në 2008. Të shtunën e kaluar, CR7 debutoi në rikthim në Premier Ligë duke shënuar dy gola, ndërsa trajneri Solskjer ka besim në prag të sfidës ndaj Jang Bojsit.
“Mançester Junajtidi ka pasur shumë suksese në Champions, dhe unë kam qenë në fushë në disa prej tyre, – tha norvegjezi, – Synimi ynë këtë vit është që t’i shkojmë garës deri në fund. Këtë herë ne kemi më shumë përvojë, më shumë cilësi dhe disa lojtarë të rinj, dhe shpresoj që të jemi më të përgatitur”.
Fokusi është gjithashtu tek Çelsi, kampioni në fuqi i Europës. Blutë e Londrës, që fituan finalen e kaluar duke mundur Mançester Sitin favorit, po ashtu janë në formë të madhe. Në ekip është kthyer Romelu Lukaku, që shënoi dy gola fundjavën e kaluar. “Fitorja e Championsit mbetet suksesi më i madh në karrierën time, ishte një natë magjike, por tashmë ka kaluar kohë dhe ne duhet të përqëndrohemi tek ndeshja e radhës, – thotë trajneri Tuhel. Sfida ndaj Zenitit është më e rëndësishmja e sezonit sepse është ajo që duhet të luajmë, nuk duhet të gabojmë”.
Nuk mund të lihet jashtë vëmendjes as Juventusi, që tashmë ka mbetur pa Kristiano Ronaldon. “Zonja e Vjetër” është në krizë në Serinë A, diçka që mund të ndikojë në sfidën e sotme në Suedi ndaj Malmoes. “Ne duhet të kemi shumë kujdes, – thotë trajneri Alegri, – duhet të bëjmë pasime të sakta, teknikë më të mirë. Të kemi kujdes kur kundërshtari të sulmojë, sepse është i fortë fizikisht. Gjithsesi, së pari duhet të jemi të qetë dhe të kemi besim tek vetja jonë”.
Sfidanti.al