Një prapaktheu që nuk duket aspak e pamenduar, por një plan i përpiluar prej kohësh dhe i ekzekutuar, ashtu siç ekzekuton goditjet e tij të famshme të dënimit. Vetëm një personalitet i futbollit i nivelit të Lionel Mesit mund ta bënte diçka të tillë, ta sillte vërdallë bordin drejtues të Barcelonës, të bënte “finte” se do të largohej, të fuste në lojë Mançester Sitin e Pep Guardiolën, të godiste hapur presidentin Bartomeu, e në fund të shprehte dashurinë për klubin e tij të zemrës, duke mos pranuar të shkonte as në gjyq.
Nëse do ta kishte bërë, do të kishte fituar me siguri, por plani nuk ka qenë ky. Plani ka qenë që të shembet “oligarkia” në “Kamp Nou” dhe që Barcelona të ketë sërish një skuadër sikur e kishte në kohën e Guardiolës dhe Luis Enrikes. Nuk dihet se cili do të jetë roli i Ronald Kumanit në këtë histori, sepse edhe sezoni që po vjen duket si tepër i vështirë. Gjithsesi, Mesi duket se e fitoi betejën e tij, dhe tifozët e futbollit në gjithë botën po shprehen se ai bëri një veprim klasi, dhe se përdori Sitin për të fituar Barcelonën.
Sfidanti.al