Vendimi për të larguar Julian Nagelsmanin po del tepër i nxituar dhe me pasoja. Të paktën, siç shikohet deri tani, pasi nuk besohet që Bajerni do të vrapojë për të shkarkuar edhe Tomas Tuhelin pavarësisht dështimit këtë sezon. Bavarezët janë pranë humbjes së titullit pas disfatës shtëpiake 1-3 ndaj Lajpcigut, dhe mediat gjermane shkruan për “horror të Bajernit”, ndërsa botuan fotot e tifozëve që largoheshin në masë nga stadiumi edhe pse ndeshja nuk kishte përfunduar. Kritikat më të mëdha janë për drejtuesit e klubit, presidentin Herber Haimer, shefin ekzekutiv Oliver Kahn dhe drejtorin sportiv Hasan Salihamixhiç, të cilët kanë marrë vendimet, ndonëse pas tyre mbetet “hija” e Uli Hënesit.
Sfidanti.al