Të dielën kthehet Lukaku, shpresa e madhe e Interit për të mbrojtur titullin!

A mund të jenë sado pak optimistë tifozët zikaltër pas largimit të Antonio Kontes? Padyshim që largimi i trajnerit, që udhëhoqi ekipin drejt titullit të parë kampion pas 11 vjetësh, është një humbje e madhe për Interin, por përkrahësit ndihen të siguruar të paktën që “Romi i Madh” (Big Rom), Lukaku, ka qendruar në ekip. Romelu Lukaku, lojtari më i mirë i Serisë A sezonin e kaluar, do të bashkohet me Interin të dielën për të nisur përgatitjet për edicionin e radhës. Bashkë me të, besohet se do të jetë edhe Lautaro Martinez, kampion “i freskët” i Amerikës së Jugut me Argjentinën, por edhe lojtarë të tjerë si Handanoviç, Shkriniar, De Vraj, Barela, Sensi, Vesino, Perishiç, Brozoviç, Bastoni apo edhe Çalhanoglu. Lukaku shpresohet të tërheqë ekipin drejt titullit sërish, përballë konkurrencës së Juventusit apo edhe Milanit, ndërsa nga skuadra janë larguar Hakimi dhe Erikseni i sëmurë. “M’u bë qejfi për Italinë që doli kampione e Europës, – tha Lukaku, – por, mos harroni se kampionët e Italisë jemi ne, tek Interi”.

Sfidanti.al