Ishte një tjetër ndeshje e shekullit. Nuk dihet sesa mund t’u përafrohet atyre të Muhamed Aliut me Soni Listonin, Xho Frejzerin apo Xhorxh Foremanit, apo dueleve të mëdhenj të Majk Tajsonit, Evander Holifildit e Lenoks Ljuisit, por gjithsesi, Tajson Fjuri mund të quhet një kampion i shquar i boksit.
Britaniku i stërtalentuar, por tepër i vështirë për të qenë i ekuilibruar, u rikthye në Olimpin e peshave të rënda të boksit profesionist, duke mundur rivalin e tij, ish-kampionin Diontej Uajlder. Me suksesin, ai u shpall kampion i botës në versionet WBC, Ring, dhe titullin linear të peshave të rënda. Lufta në ringun e Las Vegasit do të mbetet në histori, pasi shënoi rikthimin e një sportisti nga buza e greminës në kulmin e suksesit. i tillë është njeriu, e nuk thuhet se kot se çfarë i ra, e nuk e përballoi.
Fjuri dominoi ndeshjen ndaj amerikanit Uajlder, që nuk ishte mundur asnjëherë deri tani, dhe që i kishte fituar të gjitha sfidat me nokaut, me përjashtim të duelit të parë ndaj britanikut, që përfundoi në barazim. Talenti i tij mund ta vendosim në të njëjtin nivel me Lenoks Ljuisin, apo ndoshta edhe me Muhamed Aliun, pa pasur frikë se bëjmë ndonjë sakrilegj.
U deshën vetëm 7 raunde nga 12, që ai të fitonte dy brezat e atë të kampionit të botës, duke mos i lejuar asnjë shans atij që konsiderohej si grushti më i rëndë i boksit. Diçka e jashtëzakonshme për Fjurin që, pesë vjet më parë u bë kampion absolut i rruzullit me fitoren ndaj Vladimir Kliçkos, por që pastaj kaloi në depresion, mbipeshë e varësi nga droga, duke menduar vetëvrasjen. Ndoshta ky kalvar e bëri që të thoshte këto fjalë menjëherë pasi mori brezat e artë.
“Dua të falenderoj Zotin tim, Jezu Krishtin, – tha Fjuri, – nëse nuk dot t’i falemi atij, ne nuk do të kemi mbarësi. Ata që mbeten në errësirë, nuk mund ta shohin kurrë dritën. Falenderimet e mia janë për Zotin e vetëm të vërtetë, Jezu Krishtin. Së dyti, unë dua të falenderoj kundërshtarin tim që pati guximin të ndeshej me mua. E godita me një të djathtë të fuqishme, por ai u ngrit dhe vazhdoi deri në raundin e shtatë. Ai është një luftëtar, ai do të kthehet dhe do të jetë sërish kampion. Gjithsesi, unë dua të them se Mbreti u kthye në fronin e tij”.
Tajson Fjuri vërtet është britanik, por ai është i adhuruari i publikut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe jo pa arsye. Tepër i talentuar, por edhe shumë inteligjent, ai i argëtoi më shumë se 17 000 spektatorët në Arenë me një këngë të njohur amerikane.
Sfidanti.al