Lacio nuk i ndahet Juventusit, provë karakteri për titull ndaj Xhenoas!

Ja edhe një tjetër provë karakteri. Nuk ishte aspak e lehtë për një skuadër pa traditën e duhur si Lacio, që t’i përgjigjej edhe një herë Juventusit në garën për titull në Serinë A. Fitorja në stadiumin “Marasi” të Gjenovës ishte detyrim për të mos u shkëputur nga kampionët, që kishin triumfuar të shtunën në fushën e SPAL-it, dhe ajo u arrit. Me portierin e kombëtares shqiptare, Tomas Strakosha, në kuadrat, por edhe me lojtarë të shkëlqyer si Imobile, Milinkoviç-Saviç apo Marushiç, kryeqytetasit ia dolën me suksesin e ngushtë 3-2 ndaj Xhenoas vendase, duke qenë tani vetëm 1 pikë larg Juventusit kryesues.

Marushiç dhe Imobile ishin autorët e golave që i dhanë epërsinë 2-0, por ndeshja nuk ishte aspak e përfunduar. Gjenovezët u përgjigjën bukur me Françesko Kasatën, ndërsa lacialët realizuan përsëri falë golit të kalibruar të zëvendësuesit Danilo Kataldi. Në fund, pati dramë pasi Xhenoa fitoi 11-metërsh të cilin e ktheu në gol Krishito. Gjithsesi, nuk pati kohë për më shumë dhe Lacio e trajnerit Simone Inzagi i forcoi pozitat si anti-Juventusi, me 59 pikë ndaj 60 të Juventusit. Interi është 5 pikë prapa, ndonëse nuk e luajti dot ndeshjen e kësaj jave, që u anulua për t’u ruajtur nga epidemia e koronavirusit.

Sfidanti.al