S’ka rëndësi ndeshja apo rivali, ky Halandi shënon gjithnjë!

Vjeshtën e kaluar tifozët e Mançester Junajtidit iu lutën drejtuesve të klubit që të mos mendonin për Mario Manxhukiçin, por për Erling Halandin, që po shkëlqente me Salcburgun. Kjo nuk ndodhi edhe për shkak të antipatisë së ndërsjelltë të “Old Trafordit” me agjentin e Halandit, Mino Raiolën, ndërsa “bingon” e pati Dortmundi.

Është vërtet një blerje mjeshtrash, pasi Halandi tregoi sërish sesa vlen. Vetëm 19 vjeç, ai nuk rri dot pa shënuar, duke realizuar golin e 9-të në 6 ndeshje në Bundesligë për Borusian. Kjo, në fitoren 2-0 ndaj Verderit madje në Bremen, duke marrë hak në një farë mënyre për eleminimin nga Kupa. Janë 12 gola në 8 ndeshje të norvegjezit për verdhezinjtë, dhe 40 gola këtë sezon gjithsej, bashkë me ata të shënuar për Salcburgun. Kjo, në vetëm 35 ndeshje. Në Champions ka 10 gola deri tani, duke qenë shënuesi më i mirë bashkë me Robert Levandovskin, ndërsa vetëm këtë javë ka shënuar 4 herë. Një herë fundjavën e kaluar në Bundesligë ndaj Frankfurtit, dy në mesjavë në Champions ndaj Paris SG, dhe një këtë të shtunë ndaj Verderit.

Sfidanti.al