SuperBoul, Tom Bredi e realizoi ëndrrën në moshën 41 vjeç

Tom Bredi dhe Bill Beliçik ishin dy nga njerëzit më të lumtur të planetit në mbrëmjen e thellë amerikane, në stadiumin “Mercedes Benz” të Atlantës. Ylli në fushë dhe ylli në stol (në foto) ia dolën të ishin për herë të gjashtë në karrierë kampionë të futbollit amerikan, me skuadrën e tyre Nju Inglënd Patriots (Neës England Patriots). Finalja ndaj Los Anxhelos Ramsit përfundoi 13-3, rezultati më i ulët i të gjitha kohëve, por për Bredin dhe Beliçikun pati rëndësi se barazuan rekordin e Superboulit mbajtur nga Pitsburg Stilers, me 6 tituj.

Natyrisht, futbolli amerikan ka nisur më përpara sesa Superbouli, që në vitin 1920, dhe rekordet absolute mbahen nga të tjerë. Grin Bej Pakers kanë 13 tituj, Çikago Bers kanë 9 dhe Nju Jork Xhajënts janë në vend të tretë me 8.

Bredi, gjithsesi, është një yll i padiskutueshëm, i tillë që shkëlqeu që prej vitit 2000 kur hyri në NFL. Ai mban rekordin si lojtari i vetëm që ka fituar 6 tituj në futbollin amerikan. Nuk dihet edhe sa vjet të tjera ai do të vazhdojë të luajë, dhe nëse do të arrijë të jetë në nivel të lartë, ndonëse ai do të përpiqet të thyejë rekorde të tjera.

Sfidanti.al