Superagjenti Zahavi: Nejmari s’mund të luajë as me Ronaldon dhe as me Mesin

Super agjenti izraelit, Pini Zahavi, që kohët e fundit mori “kujdestarinë” edhe të sulmuesit polka, Robert Levandovski, bëri një deklaratë interesante që ka lidhje me tre yjet më të mëdhenj të futbollit të sotëm, Kristiano Ronaldo, Lionel Mesi dhe Nejmar. Gjatë këtij sezoni, Nejmari po luan me PSZH-në, pasi në llogarinë bankare të Barcelonës hynë 222 milionë euro në kuadrin e një megatransferimi, në të cilin rolin e tij luajti edhe Zahavi.

Gjatë kohëve të fundit, ka pasur shumë spekulime se Nej (Nejmari) mund të transferohet për te Reali i Madridit, por, sipas agjentit izraelit, situata aktuale është më e mirë për futbollin, duke qenë se tre futbollistët më të mirë të botës luajë në tre klube të ndryshëm dhe nuk janë në hije të njëri-tjetrit.

“Nejmari bëri atë që duhej. Gjithsej në botë janë tre superyje, Mesi, Ronaldo dhe Nejmari. Ata nuk mund të luajnë në të njëjtin klub. Te Barcelona, Nejmari ishte nr.2, edhe në gjuajtjen e penalltive, edhe në ekzekutimin e goditjeve të lira, në gjithçka ai ishte i dyti. Ai erdhi në Spanjë si një djalosh, kurse tani është rritur, është 26 vjeç dhe ka tetë-nëntë vite që ndodhet në top nivel. Ai ka nevojë për pavarësi”, vuri në dukje Zahavi, duke shtuar se, para se Nejmari të vinte në Francë, vetëm njerëzit në këtë vend e shihnin Ligën e 1-rë, kurse tani gjërat kanë ndryshuar.

Sfidanti.al