Brenda natës ai u bë trajneri më i rëndësishëm i kampionatit gjerman. E shkruan bukur gazeta “Bild”, ndërsa vlerëson atë që ndodhi në kaq pak kohë me Niko Kovaçin, ish-mbrojtësin e Bajernit, tani trajnerin e Frankfurtit, që në korrik do të jetë teknik i Bajernit.
Lajmi për emërimin e tij në Mynih u duk si rrufe në qiell të pastër dhe 2 700 tifozët e Ajntrahtit, që ishin në stadiumin e Hofenhajmin dje pasdite, e vërshëllyen trajnerin e tyre. Në stadium pati edhe një poster proteste ndaj tij, ku ishte shkruar “Baron Muench (s) hausen”.
Mos vallë gjithçka përfundoi brenda një dite, siç pretendoi Kovaçi? Kristof Mecelderi, ish-mbrojtësi i Dortmundit dhe Gjermanisë sot specialist futbolli, u shpreh se “nuk mund ta besoj këtë, as në ligat e lagjeve nuk veprohet kështu”. Gjithsesi, legjenda Lotar Mateus flet ndryshe: “Nuk e përjashtoj mundësinë që gjithçka të jetë zgjidhur në një ditë të vetme”.
Po Kovaçi çfarë thotë? Kroati u përgjigj shkurt se “nuk kam pse të përgjigjem për këtë, pasi për Frankfurtin po punoj me mish e me shpirt”. Më pas ai shtoi se “përderisa vendosa një klauzolë të tillë në 2016, nëse më kërkonte Bajerni, do të thotë se besoja se kjo do të ndodhte, ndryshe nuk do ta kisha bërë”.
Lajmi për largimin e tij ndoshta ndikoi tek lojtarët e Frankfurtit, që u mund 1-4 në Hofenhajm, ashtu siç pohon portieri Hradecki. “Mos vallë duhet të gënjej dhe të them se nuk pati ndikim? – tha ai, – vërtet një javë shumë e bukur”.
Gjithsesi, Frankfurti i Niko Kovaçit mbetet në pretendime për kualifikim në Champions ndaj Bundesliga, si dhe do të luajë të mërkurën gjysmëfinalen e Kupës ndaj Shalkes, me shpresë që të shkojë në finalen e Berlinit, ndoshta pikërisht përballë Bajernit.
Sfidanti.al