Sunderland siguroi ngjitjen në Premier League pas fitores 2-1 ndaj Sheffield United në finalen e play-off-it të Championship-it, zhvilluar në “Wembley”. Pavarësisht se ishin në disavantazh që në pjesën e parë pas golit të Tyrese Campbell, të besuarit e Le Bris reaguan në fraksionin e dytë. Eliezer Mayenda barazoi rezultatin në minutën e 75-të, ndërsa në sekondat e fundit të takimit, Tom Watson realizoi golin vendimtar. Sheffield United kishte më shumë raste, por pa konkretizim, dhe u ndëshkua në fund. Fitorja shënon suksesin e parë për Sunderland në një finale play-off pas katër dështimesh të mëparshme. Me këtë triumf, klubi rikthehet në elitën e futbollit anglez pas shtatë vitesh mungesë. Tashmë, vëmendja do të jetë te përgatitjet për sezonin e ardhshëm në Premier League. Sheffield United, në anën tjetër, mbyll sezonin me zhgënjim, pavarësisht vendit të lartë në tabelë.
sfidanti.al