Strakosha është hero i Lacios, por Muriqi hero i Kosovës në Champions!

Fitorja ishte një reagim prej ekipi, por ka lojtarë që mund të veçohen. i tillë Çiro Imobile, autor goli dhe asisti për Lacion ndaj Dortmundit në Champions, si për të thënë se fillimi i keq në Serinë A është vetëm dobësi e momentit, por i tillë edhe Tomas Strakosha. Portieri i kombëtares shqiptare, i kthyer më në fund shëndoshë nga dëmtimi, u bë protagonist me disa pritje të rëndësishme që ndihmuan në fitoren 3-1 të italianëve.

Numri 1 u tregua i zoti për të ndaluar rastet e krijuara nga gjermanët me anë të Gerreros dhe Halandit, e duke lënë pas një periudhë jo shumë të lehtë. Vlerësimet mediatike për të ishin mjaft të mira, duke u quajtur dryni i portës laciale, dhe trajneri Inzagi, por edhe presidenti Lotito e drejtori Tare shpresojnë që ai të vazhdojë kështu për të ndihmuar skuadrën në Serinë A dhe në Champions. Kapiteni Imobile ndërkaq, u vlerësua si njeriu që realizoi hakmarrjen ndaj Borusias, pasi dikur ishte pjesë e skuadrës gjermane, por u vlerësua jo në lartësinë e duhur.

Protagonisti tjetër ishte Vedat Muriqi. Sulmuesi 26-vjeçar nga Prizreni hyri në histori pasi u bë i pari lojtar i përfaqësueses së Kosovës që luan në një ndeshje të Championsit. Për momentin, ai duhet të kënaqet si debutues, dhe hyri në fushë në minutën e 67-të, por shpejt shpreson të ketë vend si titullar tek Lacio, për të relizuar një karrierë të madhe në Serinë A dhe në Europë.

Sfidanti.al