Situata për sezonin tjetër është e paqartë, veçse ata nuk po shqetësohen aspak. Etrit Berisha dhe Thoma Strakosha ishin sërish që të dy titullarë në Serinë A, madje duke dalë fitues nga fusha e lojës. Është një edicion krejtësisht jonormal në kampionatin italian, me dy portiere shqiptarë në të njëjtën kohë, ndërsa përpara Berishës nuk ka pasur asnjë. Etriti ishte fitues në përballjen e Atalantës ndaj Krotones (1-0), sukses që e bëri skuadrën nga Bergamo të ngjitet në vendin e katërt, vetëm 3 pikë prapa Napolit të vendit të tretë.
Pak pas Atalantës është Lacio, për të cilën Federiko Marketi mbetet i dëmtuar, dhe Thoma Strakosha është titullar. Fitore 2-1 në fushën e Empolit, në radhët e të cilit Frederik Veseli luajti vetëm 12 minuta (plus shtesat). Golat ishin të Imobiles dhe Keitës pasi u pësua nga Kruniç.
E ardhmja për Strakoshën dhe Berishën mbetet e paqartë, pavarësisht se po luajnë. Kartoni i Etritit është tek Lacio, ndërsa Atalanta ende nuk është e gatshme ta blejë atë. Një kthim i tij do të pengonte Strakoshën, ndërsa pritet që djali i Foto Strakoshës të ketë gjithsesi një konkurrencë të fortë, atë të Kejlor Navasit. Reali po mendon ta transferojë tek Lacio dhe të marrë David De Gean nga Mançester Junajtid.
Sfidanti.al