Rroftë Luiza Gega ! Vrapimi në Afrikë, medaljet në Shqipëri

-Kjo Luiza e vrapimit nuk është një model që duhet  përqafuar, sepse nuk lindin shpesh atletë që edhe në kushte mjerane, duke vrapuar nga Kodrat e Liqenit, së bashku me qytetarët e zakonshëm, të zaptosh podin, për të cilin shtetet e tjera shpenzojnë  miliona para dhe jo…genjështra-

“Liza në botën e çudirave” nuk është vetëm titull libri, por edhe historia e një atleteje  me emrin Luiza Gega, historia e së cilës po shndërrohet në një përrallë të kohës moderne.  Një atlete  që stërvitet në Afrikë, pikërisht në Kenia,  për t’i thënë botës se edhe Shqipëria di të vrapojë, edhe pse nuk ka pistë për të vrapuar. Në vendin e saj ka patologji për stadiume futbolli , aq sa duket sikur rendja pas topit është shndërruar në  një fiksim kolektiv për të gjetur lavdinë. Ndaj edhe harbojmë  më shumë për  një pjesëmarrje në Europian, sesa për medaljet sfiduese të Eliza Gegës, që e kërkon pistën e vrapimit pranë shtëpisë dhe e gjen në ..Afrikë.

Pas triumfit të saj në mitingjet e Parisit, Ostravës dhe Stambollit,  me dy medalje, një të bronxtë dhe një të artë, media ndërkombëtare  është befasuar ndjeshëm nga vajza me një shpirt të hekurt, që edhe me gjuhën e medaljeve, jo vetem   po mban gjallë një sport që thërret “ndihmë”  prej vitesh,  por nuk po e prish letargjinë e pajustifikuar të vendit të saj.  Atje, ku vetëm në ditë podesh, dëgjohet një muzikë e ëmbël, dhe pse e gënjeshtërt,  se atletika është mbretëresha e sporteve, pa të cilën nuk do të kishin shëndet edhe sportet e tjera.Kurse në realitet, graviteti shqiptar ndryshon pa iu dridhur qerpiku, sa duket sikur futbolli është mbreti i sporteve , dhe të tjerët  kanë lindur nga barku i tij.

Luiza Gega,shfaqet  një kampione edhe në heshtjen e saj, sikletoset kur flet dhe jeton  kur vrapon. Sikur të kishte edhe gojën si këmbët , në Rinas, kur ta prisnin sipas ritualit të dalë boje, ku tapeti i kuq shfaqet mikroskopik në krahasim me atë që priti “heronjtë  e Francës,  Zoti t’i jepte të drejtë të bënte një kërkesë: “  Ma sillni Afrikën në vendin tim..një pistë për të vrapuar”. Këtë herë, me këto medalje, që përkojnë edhe me kohë zgjedhjesh,  me siguri do t’i dhurojnë më së fundi një pistë për “mohikanen e fundit” të një sporti, që çuditërsht, po na nderon sa më keq sillemi me të. Madje,  aq sa mund të thuhet me shpoti se përse na u dashka pista për Luizën, Ismalajn dhe Dautin, kur vrapimin ta bëjmë në Afrikë,kurse medaljet t’i sjellim  në Shqipëri. Kjo Luiza e vrapimit nuk është një model që duhet  përqafuar, sepse nuk lindin shpesh atletë që edhe në kushte mjerane, duke vrapuar nga Kodrat e Liqenit së bashku me qytetarët e zakonshëm, të zaptosh podin europian, për të cilin shtetet e tjera shpenzojnë  miliona para dhe jo…gënjeshtra.

 

Gëzim Sinemati

Botuar në gazeten Panorama Sport