Plot 25 000 tifozë i munguan Dortmundit në ndeshjen shtëpiake ndaj Volfsburgut në Bundesligë. Kjo, pas vendimit të Federatës Gjermane të Futbollit (DFB) për të dënuar klubin pasi një pjesë e tifozëve sulmuan ata të Lajpcigut kur dy skuadrat u ndeshën disa ditë më parë. Minusi prej 25 000 vetësh erdhi sepse DFB-ja ndaloi tifozët të mbushnin tribunën e famshme të Jugut në stadiumin “Signal Iduna Park” (ish-Vestfalenshtadion), tribunë që ka marrë emrin “Muri i Verdhë” për shkak se aty qendrojnë ngjeshur tifozët më të zjarrtë të ekipit.
Hans-Joahim Vacke, shefi ekzekutiv i klubit, u ankua për efektin negativ që pati dënimi i dhënë nga Federata. “Stadiumi pa 25 000 tfozët e tribunës së Jugut ishte njëlloj si një ndeshje që luhet pa top”, – tha ai. Dortmundi, gjithsesi, i kënaqi 55 000 njerëzit e tjerë në impiant duke arritur një fitore rutinë 3-0, ku shkëlqeu polaku Lukash Pishçek, që shënoi një gol, detyroi kundërshtarin të shkaktonte autogol, dhe shërbeu topin për rrjetën e shënuar nga Dembele.
Sfidanti.al