Strakosha, “doreza numër 4 e Europës”, portieri shqiptar nuk njeh limite!

Nuk ka nevojë të prezantohet se kush është. Tomas Strakosha përbën sot një realitet të madh në futbollin europian dhe portieri i kombëtares shqiptare mori edhe një konfirmim tjetër. Numri 1 i Lacios është renditur në vendin e katërt në kontinent për pritjet që ka bërë këtë sezon, duke qenë fare pranë vendit të parë.

Njëzetedyvjeçari ka bërë gjithsej 51 pritje, duke mbetur vetëm dy pritje larg podiumit. Në vend të parë deri tani është portieri i Verderit në Bundesligë, çeku Pavlenka, i dyti Perin i Xhenoas dhe i treti Nikolas i Veronës, që të dy në Serinë A, aty ku luan edhe Strakosha. Me formën e tij të madhe, ai ka lënë pas emra të shquar të portës si David De Gean e Spanjës e të Mançester Junajtidit dhe Andre Ter Shtegenin e Barcelonës. Natyrisht, kjo edhe sepse Lacio nuk është në gjendje të mbrohet aq mirë sa dy skuadrat e mëdha të mësipërme.

Duke qenë vetëm 22 vjeç, Strakosha i ka të gjitha mundësitë që të përmirësohet edhe më shumë dhe që tani po flitet se mund të shkojë në ndonjë klub më të rëndësishëm. Një nga hipotezat është se do të zëvendësojë Xhixhi Bufonin tek Juventusi.

Sfidanti.al