Tetë gola dhe një fitore që jep shpresë, moral dhe frymëzim. Nuk mund të ishte tjetër përveçse një skuadër e drejtuar nga Pep Guardiola që do të jepte tonin në një ndeshje ku do të thyhej rekordi i rrjetave të shënuara në ndeshjet e para të turit të dytë të Ligës së Kampionëve. Një rekord për të gjitha kohët. Mançester Siti fitoi 5-3 spektaklin e futbollit me Monakon në stadiumin “Etihad” dhe gjithkush u qartësua plotësisht se përse trajneri katalanas quhet “Zeusi” i Championsit.
Qindra milionë njerëz që ndjekin kompeticionin më të madh të klubeve në botë, duan të kalojnë dy orë me maksimumin e argëtimit, diçka që e mundësonte Barcelona e tij, jo pak Bajerni i tij, dhe ndoshta edhe Mançester Siti i tij. Skuadra angleze më në fund arriti të luante dhe të merrte një rezultat siç e dëshironte strategu i saj në stol. Madje, me mënyrën “e infarktit”, aq të dashur për ata që duan emocione të forta.
Rahim Stërling realizoi për Sitin, pastaj Radamel Falkao barazoi dhe Kilian Mlapa kaloi francezët në avantazh, me një goditje dënimi si “plumb pushke”. Falkao humbi penallti pas pushimit dhe Sergio Aguero doli në skenë me gjithë klasin e tij duke barazuar. Sërish Falkao kaloi miqtë në epërsi 2-3, por sërish u përgjigj Aguero. Goditjet e fundit për vendasit i dhanë Xhon Stouns dhe Liroi Sane, për një rezultat 5-3 që nuk garanton asgjë, por që njëkohësisht është një fitore e madhe, sidomos duke parë si shkuan punët.
Spektakël pa rezerva edhe në Gjermani. Leverkuseni natyrisht kishte meritën kryesore për futbollin ofensiv dhe pozitiv sipas mentalitetit të trajnerit Shmit, pavarësisht se humbi. Atletiko e Madridit luajti me mbrojtjen e fortë, por edhe me përvojën për të vrarë ndeshjen. Trajneri Simeone duhet të ketë mbetur i kënaqur këtë herë, pasi Saul Nigez shënoi për 1-0, Antuan Grizman për 2-0, ndërsa Kevin Gameiro dhe Fernando Torres vazhduan tendencën në pjesën e dytë. Leverkusen u afrua në 1-2 me Karim Belarabin dhe në 2-3 me autogolin e Stefan Saviçit, por mungesa e përvojës ishte e madhe dhe përfundimi ishte 4-2 për spanjollët që janë thuajse në çerekfinale.
Sfidanti.al