Lajmi nuk vonoi ndonëse deri dje nuk kishte siguri. Skënderbeu ka konfirmuar Ivan Gvozdenoviçin si trajnerin e ekipit edhe për sezonin e ardhshëm. Lajmin e dha vetë klubi korçar në FB, duke sqaruar se Gvozdenoviç dhe presidenti Ardian Takaj arritën marrëveshjen për vitin që vjen. Besohet se kontrata do të jetë njëvjeçare, me mundësi për t’u zgjatur edhe për më tej. Nën drejtimin e teknikut serb, Skënderbeu u ngjit në Superligë pasi kaloi vetëm një sezon një nivel më poshtë. Gvozdenoviç e mori drejtimin e ekipit në janar, kur ish-kampionët e vendit ndodheshin në pozita të vështira, por duke arritur të ndryshojë situatën.
Në fund të sezonit, Skënderbeu u shpall kampion i Kategorisë së Parë dhe u ngjit direkt në Abisnet Superligë, si skuadra më e mirë. Trajneri pritet të kalojë disa ditë pranë familjes në mbyllje të edicionit, për të filluar më vonë fazën përgatitore për sezonin e ardhshëm. Ai shpreson dhe beson se Skënderbeu mund të kthehet në epokën e artë kur dilte radhazi kampion i Shqipërisë dhe hynte në fazën e grupeve në Ligën e Europës.
Sfidanti.al