Tjetër humbje për kampionët e La Liga, Valladolid fiton 3-1

Në pritje vetëm për të marrë trofeun e kampionit në La Liga, Barcelona duket se ka marrë përpara kohe pushimet. Që pasi siguroi matematikisht titullin, skuadra e drejtuar nga Ksavi Hernandez shënoi humbjen e dytë radhazi në kampionatin spanjoll, duke u mundur 3-1 në fushën e Vajadolid. Ndeshja nisi menjëherë keq për kampionët spanjollë, që në minutën e dytë u ndëshkuan nga autogoli i Kristensen. i vakët reagimi i Barcelonës, që në mesin e pjesës së parë do të merrte një tjetër goditje. Nga pika e penalltisë në minutën e 22-të, Larin dyfishoi avantazhin e të zotëve të shtëpisë. Pas pushimit, Vajadolid vrau garën në minutën e 73-të, kur Plata realizoi edhe golin e tretë. Vetëm në fundin e sfidës, Robert Levandovski zbuti humbjen me golin e nderit për Barcelonën, që pas fitimit të titullit ka nisur të shpërndajë dhurata në javët e fundit të La Liga.

Sfidanti.al