Skënderbeu i triumfit dhe ai i skandalit, dy fytyrat e futbollit!

Shumë vjet më parë, në një telenovelë amerikane (ndoshta tek “Dinastia”) u luajt një pjesë e tillë. Vajza, që kishte respekt të jashtëzakonshëm për babanë e tij, mori vesh se ai botonte edhe një rrjet me revista pornografike. E tronditur thellësisht shkoi tek i ati dhe i tha se ishte shumë e zhgënjyer dhe tepër e dëshpëruar. Si përgjigje, babai i tha se gjithë këto gjëra të tjera të shkëlqyera që kishte familja e tyre nuk do të kishin qenë të mundshme nëse ai nuk do të kishte botuar ato revista që siguronin diçka shumë të rëndësishme, para!

Le të kthehemi tek futbolli dhe tek refreni që thuhet përditë nëpër tavolina, por jo nëpër intervistat apo në studiot televizive, “presidentët bëjnë mirë që shesin ndeshje se kështu sigurojnë rrogat e lojtarëve”. Vetë lojtarët dhe trajnerët e pranojnë, ndoshta me ndonjë brejtje ndërgjegjjeje, që kjo të ndodhë, pasi ndryshe nuk do të merrnin 4 apo 5 mijë euro në muaj nëse janë futbollistë të mirë.

E vërteta është që “po, klubet kanë të drejtë të bëjnë gjëra të tilla, nëse nuk kanë rrugë tjetër, dhe në një klimë të tillë tradite”. “Qëllimi justifikon mjetin”, “mbijetesa vjen e para”, “duhet të hajë stomaku, që të punojë mendja”! Ka shumë shprehje të tilla, ndërsa në botë, ne e dimë sesa më të prapambetur të jenë vendet, sa më pak traditë ligjore të kenë ata, aq më i përhapur është korrupsioni dhe trukimi. A nuk është edhe Shqipëria një prej tyre?

Gjithsesi, gjëja më interesante që pas kualifikimit të Skënderbeut në plej ofin e Ligës së Europës, është lidhja që i bëhet dy fenomeneve. “Ky është Skënderbeu, – thuhet nga njerëz të klubit apo nga tifozë, – tani mbylleni gojën për skandalet”. Do të ishte njëlloj sikur Bajerni t’u thoshte mediave në Gjermani, “ne fitojmë kampionatin, jemi ekip i madh, ndaj mos na akuzoni më që presidenti ynë, Uli Hënse, ishte në burg”! A mund të ndodhë kështu?!

Sfidanti.al